Misioni i Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është të ndihmojë dhe të mbrojë sipërmarrjen private, që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, si dhe të promovojë bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të përmirësimit të shërbimeve publike ndaj sipërmarrjes, nëpërmjet krijimit të një klime dhe mjedisi mbështetës për sipërmarrjen.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e përmbush misionin e ndërmarrë nëpërmjet shqyrtimit, ndjekjes dhe trajtimit të ankesave administrative të sipërmarrjeve private, përfshirë ato të investitorëve strategjikë dhe/ose të huaj, kundrejt institucioneve publike, të cilat përfshijnë institucionet publike të pushtetit qendror, vendor, shoqërive publike si dhe të zyrtarëve të tyre.
Një ndër detyrat e rëndësishme të këtij Institucioni është dhe përpunimi dhe propozimi i përmirësimeve të nevojshme funksionale, për platformën elektronike të ndërveprimit me sipërmarrjen për komunikimin dhe gjurmimin e ankesave të tyre, si dhe për regjistrin e komunikimit të brendshëm të trajtimit të ankesave, përmes të cilit monitoron procesin ndërinstitucional.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes promovon transparencën dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, për përmirësimin e shërbimeve publike, si dhe asiston sipërmarrjen në mbrojtjen e të drejtave të tyre ligjore të lidhura me aktivitetet e tyre sipërmarrëse, kundrejt institucioneve publike; ndërmjetëson komunikimin dhe zhvillimin e partneritetit të sipërmarrjes me institucionet publike; identifikon pengesat e biznesit në sektorë të caktuar të ekonomisë dhe formulon strategjitë e ndërhyrjes për reduktimin e barrierave administrative.
Angazhimi i Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në monitorimin e indikatorëve sasiorë dhe cilësorë të raporteve ndërkombëtare që lidhen me sipërmarrjen si dhe propozimi i mekanizmave institucionalë/ndërinstitucionalë në funksion të raporteve ndërkombëtare që lidhen me sipërmarrjen, është gjithashtu themelor për përmbushjen e misionit të tij.